Site icon Telegrafi

Osmani: Kosova projekt i pakthyeshëm në aspektin politik dhe i paprekshëm në aspektin territorial

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se e çmon angazhimin e ndërkombëtareve në lehtësimin e arritjes së një marrëveshje përfundimtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, por që ata duhet t’i refuzojnë përpjekjet e individëve të caktuar për të shtyrë përpara çfarëdo propozimi për zgjidhje mbi bazën e ndarjeve etnike dhe të ndryshimit të kufijve.

Ajo ka thënë se ndryshimi i kufijve mbi baza etnike nuk bënë pjesë në këto parime e vlera, transmeton Telegrafi.

“E çmoj lart angazhimin e miqve tanë ndërkombëtarë në lehtësimin e arritjes së një marrëveshje përfundimtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Por Bashkimi Evropian nuk mund të shërbejë thjeshtë si forum ku bëhet dialogu, por duhet doemos të ofrojë edhe udhëzime që bazohen në parimet e vlerat mbi të cilat funksionon BE. Ndryshimi i kufijve mbi baza etnike nuk bënë pjesë në këto parime e vlera”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka thënë se Kosova është Republikë parlamentare dhe se Kuvendi ka rol vendimtar në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë, Politikës së Jashtme dhe atë të Sigurisë.

“Rrjedhimisht, do të ketë rol të rëndësishëm në përmbylljen e një marëveshjeje të tillë eventuale. Andaj, çdo përpjekje dhe angazhim për marrëveshje përfundimtare duhet të afirmojë edhe jetësimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Çdo pikënisje në rifillimin e dialogut në të ardhmen, duhet të bëhet mbi parimet se Kosova është projekt i pakthyeshëm në aspektin politik dhe i paprekshëm në aspektin territorial”, u shpreh ajo.

Osmani ka thënë se Kosova është njohur nga shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropiane dhe vendeve tjera të botës dhe e drejta për të shpallur pavarësinë është vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Kosova është e palëkundur në orientimin strategjik për anëtarsim në Bashkimin Evropian. Shteti ynë është ndërtuar dhe duhet të vazhdojë të zhvillohet pikërisht mbi bazën e vlerave që i proklamon dhe i ka jetësuar Bashkimi Evropian. Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet t’i refuzojë përpjekjet e individëve të caktuar për të shtyrë përpara çfarëdo propozimi për zgjidhje mbi bazën e ndarjeve etnike dhe të ndryshimit të kufijve, sepse në thelb kjo do të ishte edhe kundër vlerave të Bashkimit Evropian dhe nuk siguron paqe të qëndrueshme në rajon. Mbi të gjitha, zgjidhje të tilla nuk do të përkraheshin nga qytetarët tanë e rrjedhimisht do të mbeteshin të pazbatueshme. Historia na mëson se zgjidhjet e idetë pa mbështetje qytetare përfundojnë me dështim”./Telegrafi/

Exit mobile version