Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas bilancit të zi rekord të rasteve me coronavirus.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se situata e sotme dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zinxhirin e infektimeve si mbrojtja e vetme dhe më e mirë.
“Ditë e rëndë sot për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë. Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit. Institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë”, shkruan Osmani.
36 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në Kosovë, si pasojë e infeksionit me coronavirus. Ky është numri më i lartë i viktimave si pasojë e kësaj sëmundjeje që nga shpërthimi i saj në mars të vitit të kaluar./Telegrafi/