Telegrafi

Osmani kërkon nga presidenti i Parlamentit Evropian që të jetë i zëshëm ndaj pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën

Në vazhdën e takimeve gjatë vizitës në Bruksel, u.d. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar David Sassoli, President i Parlamentit Evropian.

Në këtë takim, Osmani ka falënderuar Sassolin për rolin proaktiv të Parlamentit Evropian në mbështetjen e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

“Gjithashtu e ka falënderuar presidentin Sassoli për rolin e tij në përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në të gjitha përpjekjet e BE-së për përballimin e pandemisë̈.

U.d. Presidentja Osmani theksoi faktin se Parlamenti Evropian ishte dhe vazhdon të jetë institucioni më i zëshëm në BE në lidhje me Republikën e Kosovës, duke kërkuar jo vetëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe duke e ndihmuar shtetin e Kosovës nëpërmjet iniciativave të ndryshme. Ajo e ka potencuar në veçanti, nevojën që Parlamenti Evropian të jetë i zëshëm në kërkesën ndaj pesë shteteve jo njohëse të BE-së, në mënyrë që ato ta njohin Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej, Osmani konfirmoi synimin e Kosovës dhe popullit të saj për kultivimin dhe ruajtjen e vlerave evropiane.

“Institucionet e Republikës së Kosovës, bashkë me ato të BE-së, duhet të punojnë më shumë që sa më shpejt që është e mundur t’ia ofrojnë perspektivën evropiane popullit të Kosovës, i cili vazhdon të jetë populli më pro-evropian në kontinent, por i izoluar shkaku i mosliberalizimit të vizave. Kosova i ka plotësuar kriteret, ndaj BE-ja duhet ta mbajë premtimin ndaj Kosovës duke i liberalizuar vizat”, është shprehur Osmani në takim me presidentin e Parlamentit Evropian.

“Rajoni ynë do të ecë përpara kur të ketë drejtësi, sepse drejtësia është parakusht për paqe e pajtim”, ka thënë Osmani. Ajo poashtu potencoi se duhet të rritet roli i Kuvendit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, sikurse edhe të arrihet unifikim i spektrit politik kosovar lidhur me dialogun. /Telegrafi/