Telegrafi

Osmani kërkon mbështetjen e Polonisë për Kosovën në Këshillin e Evropës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ministrin e Jashtëm të Polonisë, Zbigniew Rau, me të cilin zhvilluan një diskutim të rëndësishëm për partneritetin në mes të Kosovës dhe Polonisë, si dhe për zhvillimet e sigurisë në rajon dhe Evropë.

“Potencova nevojën e avancimit të raporteve ndërmjet shteteve dhe popujve tanë, si dhe forcimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe strukturat euro-atlantike”, ka theksuar presidentja Osmani pas takimit me ministrin polak Rau, transmeton Telegrafi.

Me ftesë të presidentit Pendarovski, presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, i cili po zhvillon punimet nga data 16 deri 18 qershor në Ohër.