Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani sot ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.
Osmani tha se sot 21 vjet më parë është vrarë në Tiranë, kolonel Ahmet Krasniqi, ministri i parë Mbrojtjes i Kosovës, i cili kishte vizionin dhe përgatitjen profesionale, por mbi të gjitha atdhedashurinë për të organizuar luftën çlirimtare.
“Ai punoi bashkë me shumë shokë të tij, të cilët sot janë këtu me ne, dhe e njohu si komandant suprem presidentin historik Ibrahim Rugova për të ndërtuar celulat e para të mbrojtjes së Republikës së Kosovës, por për fat të keq, u vra pabesisht nga njerëz të cilët ishin kundër pavarësisë, kundër lirisë Republikës së Kosovës. Edhe sot pas 20 vitesh kërkojmë që të zbardhet vrasja e tij, jo vetëm për shkak se mbetet plagë e hapur për familjen e kolonel Ahmet Krasniqit, por për shkak se është plagë e hapur për të gjithë ne, është plagë e hapur për Republikën e Kosovës”, theksoi Osmani, raporton KP.
Ajo po ashtu tha se ka respekt të jashtëzakonshëm sot për kontributin e kolonelit, dhe bashkëluftëtarëve të tij, ndërsa pati edhe një porosi për zbardhjen e vrasjes së tij.
“Respekt për fëmijën e tij, dhe natyrisht se do t’u qëndrojnë në krah gjithnjë në kërkim të drejtësisë, asnjë herë në kërkim të hakmarrjes, por patjetër, gjithherë në kërkim të drejtësisë”, tha ajo.
Sot njëkohësisht në Ditën e Paqes, Osmani tha se presidenti Ibrahim Rugova, është simbol i paqes jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin dhe gjithë botën. /Telegrafi/