Site icon Telegrafi

Osmani viziton disa komuna të prekura nga vërshimet – ofron mbështetje institucionale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet intensive, ka vizituar Klinën, Skenderajn dhe Mitrovicën.

Siç njofton Zyra e Presidentes, në takim me kryetarët e komunave Zenun Elezaj-Klinë, Fadil Nura-Skenderaj dhe Bedri Hamza-Mitrovicë, Osmani ka theksuar se që nga mbrëmë ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet e sigurisë dhe në këtë kontekst ka vlerësuar angazhimin e strukturave komunale dhe institucioneve emergjente për të ndihmuar qytetarët dhe për t’i minimizuar dëmet në ekonomi familjare.

Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet.

Ajo ka vizituar biznese dhe ekonomi familjare, të cilat kanë pësuar nga vërshimet. Në këtë frymë, Presidentja ka kërkuar nga strukturat e sigurisë dhe të emergjencave, të angazhohen maksimalisht për t`u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për t`i zvogëluar pasojat e krijuara nga kjo situatë e jashtëzakonshme.

“Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë”, është shprehur Osmani.

Në të tri komunat Osmani ka ofruar mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, ndaj nevojitet angazhim dhe solidaritet i të gjithëve në një situatë të tillë. /Telegrafi/

Exit mobile version