Site icon Telegrafi

Osmani: Ilaz Kodra ishte dora e djathtë e komandantit Adem Jashari dhe simbol i rezistencës për liri

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot një seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorëve dhe martirëve të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.

Kjo seancë nisi me intonimin e himnit të Kosovës dhe atij kombëtar dhe me një minutë heshtje në nderim të komandantit Kodra dhe dëshmorëve e martirëve të tjerë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para deputetëve dhe familjarëve të komandantit Ilaz Kodra, tha se 25 vjet më parë fshatrat Vërbocë, Shtuticë, Tërstenik , Dashec, Baks e Gllobar u ndodhën në egërsinë e regjimit gjeocidal të Serbisë në një ofensivë që kishte të vetmin qëllim shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik.

“Banorëve të këtyre fshatrave iu vu në mbrojtje UÇK në krye me heroin Ilaz Kodra dhe bashkëluftëtarët e tij. Bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, Ilaz Kodra në këtë përpjekje për mbrojtje të popullsisë civile të Kosovës nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit ra heroikisht në fushëbetejë së bashku me 42 luftëtarë të UÇK-së”, tha Osmani.

Osmani shtoi se Kodra ndoqi idealin e komandat Ademit duke e konsideruar lirinë si vlerë të panegociueshme dhe sublime, ndaj edhe u përjetësua.

“Si një patriot i devotshëm ai u shndërrua në dorën e djathtë të komandantit Adem Jashari. Ilaz Kodra siç e nisi aktivitetin e tij patriotik edhe e përfundoj duke e mbrojtur dinjitetin dhe identitetin tonë kombëtar. Ai ra për liri dhe shtet, thuhet se luftëtari nuk kthehet në shtëpi por përjetësohet për liri”, tha Osmani. /Telegrafi/

Exit mobile version