Site icon Telegrafi

Osmani ia numëron Vuçiqit marrëveshjet e pazbatuara nga Serbia

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ia ka numëruar presidentit serb Aleksander Vuçiq marrëveshjet që Serbia nuk i ka zbatuar deri më tani, ndërsa shpreson që Hashim Thaçi t’ia ketë përmendur së paku.

Osmani ka shkruar në Facebook se Vuçiqi mbrëmë para mediave insistonte që t’i përmendet qoftë edhe një obligim i vetëm i marrëveshjeve të Brukselit të cilin Serbia nuk e ka zbatuar.

Ajo ka shtuar se, “shpresoj që pala kosovare (Presidenti ynë si kryenegociator i vetëshpallur) t’ia ketë përmendur bile disa nga shkeljet e mëposhtme të detyrimeve që rrjedhin nga këto marrëveshje”.

Postimi i plotë i Osmanit në Facebook:

Vucic mbrëmë para mediave insistonte që t’i përmendet qoftë edhe një obligim i vetëm i marrëveshjeve të Brukselit të cilin Serbia nuk e ka zbatuar. Shpresoj që pala kosovare (Presidenti ynë si kryenegociator i vetëshpallur) t’ja ketë përmendur bile disa nga shkeljet e mëposhtme të detyrimeve që rrjedhin nga këto marrëveshje:

Moszbatimi i Marrëveshjes së Parimeve të v.2013 (Plani i Zbatimit), ku kërkohet që të dyja palet të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar.

Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale, ashtu sic kërkohet në Marrëveshjen e v.2013.

Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e v.2013 që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve duke nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë; shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, etj.

Mosbatimi i marreveshjes per energji, duke mos lejuar asnjë përparim në zbatimin e pjesëve të kësaj marrëveshjeje dhe Marrëveshjes për KOSTT-ENTSO-E.

Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nepermjet ndalesave qe Serbia ua bene shume zyrtareve e qytetareve te Kosoves te te gjitha profileve qe te hyjne ne Serbi; mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj.

Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”

Moszbatimi i marrëvëshjes për mbrojtjen civile, duke nxitur këta anëtarë të ‘integruar’ që mos t’i ushtrojnë funksionet e tyre në pajtim me ligjet e Kosovës dhe mos t’ i raportojnë institucioneve të Kosovës.

Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu sic ishin marrë vesh palët.

Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore, pengon ndërtimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar sipas marrëveshjeve etj.

Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia.

Shkelja e marrëveshjes për diploma, ku poashtu nuk ka asnjë përparim.

Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat në veri që mos të bashkëpunojnë, dhe duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme;

Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit parlamentar ose të tjera;

Lista vazhdon…

Me tërë këto shkelje, e shumë të tjera, Vucic vazhdon të bëjë atë që bënë më së miri qysh nga koha e Milloshevicit, pra PROPAGANDËN.

Exit mobile version