Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas humbjes së jetës së dy qytetarëve në qytetin e Pejës, si pasojë e vërshimeve.
Osmani ka thënë se humbja e dy qytetarëve ka tronditur gjithë Kosovën, ndërsa ka ngushëlluar familjarët për humbjen e tyre, transmeton Telegrafi.
“I shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve, kryetarit të Komunës z. Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të komunës së Pejës për këtë humbje të madhe e kaq tragjike. Forca e Sigurisë së Kosovës dhe gjithë institucionet e tjera që merren me emergjenca të tilla janë në Pejë që nga mbrëmë duke ofruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre”, thotë ajo.
Osmani tutje ka shtuar se “në këto momente të rënda, është me rëndësi që përkrahja të vazhdojë në mënyrë që komuna e Pejës të përballojë dhe të rikuperohet nga kjo situatë e vështirë e tragjike”.
Nga vërshimet në Pejë kanë humbur jetën dy qytetarë, ndërsa disa të tjerë janë duke u trajtuar në spital. Vërshimet kanë shkaktuar edhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/