Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka thënë është gabim që politikanët e Kosovës ta përmendin shprehjen “konflikt i ngrirë” për vendin tonë.
Osmani, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se është shumë e gabueshme që presidenti Thaçi, Kosovën e quan “konflikt të ngrirë”.
“Thaçi po e konsideron çështjen e statusit të Kosovës si të pambyllur, duke na krahasuar me raste si të Abkhazisë, ndonjë pjese të Ukrainës apo Palestinës. Ai po thotë “meqë jemi ende konflikt i ngrirë, Serbisë duhet t’i japim diçka””.
Deputetja e LDK-së ka thënë se kjo logjikë e përdorur nga Thaçi duhet të largohet nga tavolinat e bisedimeve së paku në Kosovë.
“Nuk duhet të futemi në bisedime me mendjen çka t’i japim Serbisë, kinse Kosova qenka një shportë me molla e dardhe dhe çdokush të merr diçka, dhe në fund ajo që mbetet [Kosovës] të jetë totalisht jo funksionale”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Osmani ka thënë se nuk është Kosova ajo që duhet të japë diçka për të përfituar njohjen.
“Be ka ndërmarrë 22 veprime konkrete për Serbinë përfshirë hapje të kapitujve e disa janë mbyllë, kurse për Kosovën është hapur çështja e vizave e nuk është mbyllur, ka filluar zbatimi i MSA-së por nuk ka mbaruar…”, tha ndër të tjera Vjosa Osmani./Telegrafi/