Deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë se kryeministri Ramush Haradinaj sot ka votuar marrëveshjen me Malin e Zi, për të cilën dikur akuzonte për tradhti.
Osmani, përmes një postimi në facebook, ka pyetur se “a është e mundur që e gjithë ajo vëmendje sot ishte te reagimi “kuku, kuku” i Kryeministrit, e jo te fjalët që i tha përderisa ngriste dorën për të votuar PËR: “Miratohet/Aprovohet Marrëveshja për Shënjimin e Kufirit në mes të Kosovës e Malit të Zi”.
Ajo ka publikuar dy fotografi, nëpërmjet të cilave, sipas saj, shihen reagimet e ndryshme të Haradinajt për marrëveshjen e gushtit të vitit 2015.
Postimi i Osmanit:
“Dy fotografi – E njëjta marrëveshje
A është e mundur që e gjithë ajo vëmendje sot ishte te reagimi “kuku, kuku” i Kryeministrit, e jo te fjalët që i tha përderisa ngriste dorën për të votuar PËR: “Miratohet/Aprovohet Marrëveshja për Shënjimin e Kufirit në mes të Kosovës e Malit të Zi”.
Po, po: ështe po e njëjta marrëveshje e vitit 2015. Asnjë pikë, asnjë presje s’ka ndryshuar. Po e njëjta marrëveshje nëpërmjet së cilës dhuna dhe akuzat për tradhti ishin bërë përditshmëri. Po të njëjtën, sot e votoi Kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar.
Marrëveshja për Demarkacion, bashkë me raportin e Komisionit të Shpejtim Bulliqit, është dërguar në Kuvend pasi është miratuar nga ana e Qeverisë së Kosovës” (sic.), ka shkruar Osmani. /Telegrafi/