Site icon Telegrafi

Osmani: Gjatë gjithë jetës sime politike, referencë e kam pasur Ibrahim Rugovën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar sërish qytetarët dhe deputetët për besimin e dhënë.

Osmani ka theksuar se gjatë angazhimit politik, ka pasur një referencë, Ibrahim Rugovën.

Gjithashtu në shkrimin e bërë, Osmani ka uruar Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke shtuar se me Kurtin dhe miqtë e Kosovës do të punojnë që vendi të jetë i denjë për të mos u braktisur kurrë.

“Asnjëherë, të dashur qytetarë, nuk do të harrojmë se jemi aty për ju e për secilën pëllëmbë të Kosovës. Secili prej nesh është mirënjohës ndaj jush dhe vullnetit tuaj, deri në përulësi.
Nderimi ynë më i madh për të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë, deri edhe jetën e tyre, do të jetë nëse me nder e përgjegjësi punojmë për të gjallët dhe nëse Kosovën e bëjmë vend me të cilin krenohen gjeneratat pas nesh”, ka shkruar Osmani.

Shkrimi i plotë:

“Të dashur e të respektuar qytetarë,

Gjatë gjithë angazhimit tim politik, qe gati 2 dekada, një gjëje nuk i jam ndarë asnjëherë: respektimit të vullnetit tuaj.

Gjithë jetën time në politikë e kam pasur një referencë: Dr. Ibrahim Rugova.

Asnjëherë, pavarësisht pengesave gjatë rrugës, nuk kam reshtur së punuari që vullneti i qytetarëve të Republikës sonë të jetësohet.

I falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës që kurrë nuk u ndalën se besuari se është vota e vullneti i tyre që do të bëjnë ndryshimin e madh në vendin tonë të dashur.

I falënderoj të gjithë deputetët për besimin që të udhëheqë Kuvendin e Republikës së Kosovës, tempullin e demokracisë ku përfaqësohet sovrani. Falënderoj Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë time të 20 viteve, për besimin dhe përkrahjen.

Uroj Qeverinë e Republikës së Kosovës, udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti dhe gjithë kabinetin qeveritar për
marrjen e detyrës dhe shpresoj që me punën e tyre do të na bëjnë të gjithëve krenarë. Do të punojmë fort dhe bashkë me njëri-tjetrin e me miqtë e Kosovës që ky vend, të jetë i denjë për të mos e braktisur kurrë.

Asnjëherë, të dashur qytetarë, nuk do të harrojmë se jemi aty për ju e për secilën pëllëmbë të Kosovës. Secili prej nesh është mirënjohës ndaj jush dhe vullnetit tuaj, deri në përulësi.
Nderimi ynë më i madh për të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë, deri edhe jetën e tyre, do të jetë nëse me nder e përgjegjësi punojmë për të gjallët dhe nëse Kosovën e bëjmë vend me të cilin krenohen gjeneratat pas nesh.

Ne, jemi JU”./Telegrafi/

Exit mobile version