Në kuadër të vizitës në Gjermani, Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, mes takimeve tjera, realizoi edhe takime të ndara me Andreas Gis Drejtor i Drejtorisë për Bashkëpunim Zhvillimor në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe me Chrystof Bayer, Nënkryetar i Bordit Drejtues të GIZ (Agjencioni Gjerman për zhvillim ndërkombëtar), njofton Telegrafi Maqedoni.
Në takime, Zëvendëskryeministri Osmani u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme dhe përkushtimin e Gjermanisë për integrimet evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti theksoi iniciativën e “Procesit të Berlinit”, por edhe për mbështetjen e drejtë për drejtë bilaterale të cilën Republika e Maqedonisë e merr nga Gjermania.
“Duke e pasur parasysh mbështetjen politike, si dhe financiare dhe mbështetjen zhvillimore të Maqedonisë, Gjermaninë e shohim si vend mik dhe partner shumë të rëndësishëm të vendit tonë për aspiratat europiane dhe euro- atlantike” – deklaroi Osmani.
Gjatë bisedimeve, Zëvendëskryeministri Osmani njoftoi bashkëbiseduesit me frymën e re politike në Maqedoni, fokusin e Qeverisë së re drejt euro- integrimeve, zbatimi i Planit 3-6-9 etj. Bashkëbiseduesit ranë dakord se Procesi i Berlinit paraqet mundësi të shkëlqyer për rritjen e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë që paraqet kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe përfitim të shkëlqyer për qytetarët e rajonit.
Osmani theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të reformave që janë të rëndësisë së veçantë për kthimin e vendit në rrugën drejt BE-së. Madje e rëndësisë së veçantë përreth ndihmës e cila sigurohet përmes IPA fondeve, është që të sigurohet edhe mbështetje e targetuar bilaterale e cila do të kontribuojë në zbatimin e suksesshëm dhe efikas të reformave kyç.
Zëvendëskryeministri, përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij me karakter pune në Berlin u takua me përfaqësues të lartë të shtetit Gjerman, si dhe me përfaqësues të organizatave joqeveritare ndikim. Në takim, Zëvendëskryeministri Osmani paraqiti gjendjen politike në Republikën e Maqedonisë, ndërkaq nga përfaqësuesit Gjerman kërkoi mbështetje për aspiratat tona europiane dhe euro- atlantike. /Telegrafi/