Krerët e shtetit kanë vendosur kurora lulesh te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, me rastin e 22- vjetorit të Ditës së Paqes.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se NATO ka qëndruar gjithmonë përkrah Kosovës, dhe vazhdon të jap kontribut për vendin tonë, transmeton Telegrafi.
“Jemi këtu për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të secilit ushtar të NATO-s, të cilët i qëndruan përkrahë Kosovës në momentet më të errëta të historisë së saj. Jemi po ashtu këtu për të nderuar vazhdimin e këtij kontributi i cili nuk është ndalur në vitin 1999, atëherë kur edhe forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke u shndërruar kështu në shpëtimtarët e popullit të Kosovës, por kontribut i cili ka vazhduar edhe më tej dhe vazhdon edhe sot për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe gjithë rajonin”, deklaroi Osmani para mediave.
Tutje ajo shtoi se 12 qershori njihet si Dita e Çlirimit dhe Dita e Lirisë.
“Siç e dini, në ligjin për festat zyrtare kjo njihet si Dita e Paqes, në mesin e qytetarëve tanë njihet si Dita e Çlirimit, Dita e Lirisë.
“Në fakt, që të tria këto epitete i përshtaten kësaj dite, sepse 12 Qershori, hyrja e forcave të NATO-s së bashku me luftën e UÇK-së i sollën Kosovës pas një sakrifice të jashtëzakonshme e mbi njerëzore, lirinë edhe çlirimin dhe paqen pas shumë vuajtjesh të popullit tonë”, pohoi ajo.
Ndryshe, 22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze. /Telegrafi/