Telegrafi

Osmani: Fehmi Agani i shërbeu vendit me gjithë qenien e tij prej dijetari e ideologu nacional

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar veprimtarin Fehmi Agani në 21-vjetorin e vrasjes së tij.

Osmani ka thënë se vrasja e tij ishte përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi.

“Sot, në 21-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë njeriun e urtë e veprimtarin e madh, bashkudhëtarin politik të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në lëvizjen e viteve ’90 për pavarësi, njërin ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha, njeriun e dijeve e të ideve për konsolidimin e kombit, profesor Fehmi Aganin. Ai u vra më 6 maj 1999 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Vrasja e tij qe përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka pohuar se “Dr. Agani, njeri i urtë, tepër modest, por këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri, qysh më 1968 qe njëri ndër bartësit e debatit për Republikën e Kosovës”.

“Në vitet ’80 ai ngrehu zërin kundër diferencimeve politike dhe sidomos kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese, për t’iu bashkuar nismës për themelimin e LDK-së, e cila u shndërrua në lëvizje të fuqishme kombëtare kundër ideologjisë totalitare dhe i bashkoi shqiptarët përreth idesë së lirisë. Profesor Agani i shërbeu vendit me gjithë qenien e tij prej diejtari e ideologu nacional. Ai ia dha lëvizjes urtinë e nevojshme për ta bërë të pathyeshëm idealin e shqiptarëve për liri dhe e mbajti të gjallë vazhdimisht ëndrrën për ta parë të jetësuar atë”.

Osmani tutje ka shkruar se “profesor Aganin sot e kujtojmë si personalitet me mendim të thellë politik, promotor i mendimit politik ndër shqiptarë dhe i përafrimit të pikëpamjeve të ndryshme rreth projektit të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci”./Telegrafi/