Site icon Telegrafi

Osmani falënderon Organizatën Islamike për rezolutën në mbështetje të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare

Organizata Islamike për Bashkëpunim, e cila është e dyta më e madhja ndërqeveritare pas OKB-së me 57 shtete anëtare, ka bërë thirrje për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Presidentja Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në Twitter, ka mirëpritur këtë nismë të OIC-së.

“Unë e mirëpres dhe përgëzoj OIC, për rezolutën që u bën thirrje anëtarëve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e pakthyeshme të Republikës së Kosovës, për ta bërë këtë dhe duke mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne mezi presim të punojmë me shtetet anëtare për të nxitur marrëdhënie më të ngushta”, shkroi Osmani.

Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashme dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.

Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.

Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Ndërkaq, Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.

Po ashtu prej nisjes së luftës në Ukrainë, autoritetet e Kosovës kanë bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike./Telegrafi/

Exit mobile version