U.d. e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.
Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca thuhet se me këtë rast, Grondahl, në emër të shtetit që përfaqëson, i ofoi U.d. e Presidentes mbështetje të plotë në detyrën e re dhe e konfirmoi gatishmërinë e vendit të tij për të qëndruar pranë Kosovës në adresimin e sfidave me të cilat po ballafaqohet vendi.
Osmani vlerësoi lart angazhimin e Norvegjisë në Kosovë e sidomos mbështetjen e ofruar në fushën e ekonomisë gjatë pandemisë.
U.d. e Presidentes, Osmani e falënderoi Grondahl për mbështetjen e vazhdueshme dhe vlerësoi lartë prezencën konstruktive dhe partneritetin e ofruar nga ana e Norvegjisë. Në takim, fokus i veçantë është vënë në sfidat që kanë lindur si pasojë e pandemisë si dhe te nevoja për mobilizim të plotë për mbështetje të masave për rimëkëmbjen ekonomike.
Në këtë drejtim, Grondahl konfirmoi që një pjesë e veçantë e portfolios së angazhimit të tyre do të jetë pikërisht në këtë fushë.
Në takim u diskutua dhe për zhvillimet e fundit politike në vend./Telegrafi/