U.d presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në konferencën virtuale ndërkombëtare më rastin e 70-vjetorit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Osmani përgëzoi Këshillin e Evropës – Zyra në Prishtinë dhe Ambasadën Gjermane në Prishtinë për këtë organizim, duke potencuar rëndësinë e angazhimit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Me tendencat gjithnjë e në rritje për të vënë në pikëpyetje vetë themelet e kësaj Konvente, ngjarje dhe konferenca të tilla na ofrojnë një mundësi të shkëlqyeshme për të reflektuar mbi atë se sa larg kemi arritur dhe çfarë duhet të prioritizojmë në rrugëtimin tonë tutje për ta garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani.
Sipas saj, është mirë që Konventa nuk ka mbetur e ngrirë në kohë, porse nëpërmjet praktikave gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka arritur t’i përshtatet rrethanave.
“Edhe pse mbetet i pakontestueshëm fakti që kjo Konventë paraqet dokumentin më të rëndësishëm e më të suksesshëm deri më tash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Evropë, është fatkeqësi që Kosovës nuk i lejohet anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Në Kosovë, Konventa është e zbatueshme drejtpërdrejt me nenin 22 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Mirëpo, është vërtetë jo e drejtë që Kosova ende nuk është anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ngaqë një gjë e tillë përbën në vete shkelje të të drejtave të njeriut përmes mohimit të të drejtës për qasje në drejtësi për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar u.d.Presidentja.
Në konferencën ndërkombëtare e cila po i vazhdon punimet, pjesëmarrës janë edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, udhëheqësi i zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power, përfaqësues të lartë të Këshillit të Evropës, Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut etj. /Telegrafi/