Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, një konferencë për media për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka përmendur sot presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sekretari Antony Blinken e falënderoi presidenten Vjosa Osmani duke thënë se ka qenë vendimtare për të filluar me këtë nismë për gratë, sigurinë dhe paqen.
“Këtë vit SHBA hapi qendrat rajonale “Gratë, Paqja dhe Siguria” në Kolumbi dhe Kosovë, ne jemi mirënjohës që kemi Presidenten Osmani këtu me ne sot. Presidentja Osmani ishte e rëndësishme në nisjen e kësaj iniciative. Ajo tashmë po demonstron mënyrën se si këto qendra mund të shërbejnë si qendra për ide dhe për inovacion. Në muajt në vijim do të hapim qendrën e tretë në Filipine”, ka thënë Antony Blinken.
Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e partnerëve global nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Osmani dhe Zyra e Blinkenit në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ndryshe, presidentja Osmani gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Në një shkrim në Facebook, Osmani tha se aleanca me SHBA-në nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global.