Pas zërave për prishjen e koalicionit PDK-LDK ka reaguar edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit në një postim në llogarinë e saj në ‘Facebook’, ka shkruar se PDK është parti, e cila nuk i respekton marrëveshjet.
Deputetja më e votuar në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se kur ajo thoshte se PDK nuk i respekton marrëveshjet, disa në LDK e shanin atë.
Në statusin e saj në ‘Facebook’, Osmani ka postuar një pjesë të fjalimit të saj në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, pas të cilës u vendos qe LDK të negocioj edhe me PDK-në për qeverisjen e ardhshme.
Postimi i plotë i Osmanit:
Për ata që po quditen pse PDK nuk po e respekton marrëveshjen e koalicionit, ja një përkujtim i vockël- pjesë nga fjalimi im në Këshillin e Përgjithshëm (Nentor 2014) ku diskutohej mundësia e lidhjes së koalicionit me PDK. Ata që sot po ankohen e përulen pse PDK nuk po i respektoka marrëveshjet (PËR QUDI!!!), atë ditë bërtitnin e shanin derisa unë i lexoja këta rreshta:
“Nëse ky Këshill vendosë që të jepet drita e gjelbër për të hyrë në negociata pa vija të kuqe, pra duke lejuar edhe negociata me PDK-në, dhe nëse ky koalicion arrihet, atëherë të jemi të vetëdijshëm që po lidhet marrëveshje me një PARTI E CILA PARIM JETIK TË SAJ E KA MOSRESPEKTIMIN E MARRËVESHJEVE. Poashtu, ashtu sic ka bërë gjatë viteve 2007-2010, PDK cdo ditë do të kërcënojë me prishje të koalicionit. Zanzibari, të nderuar anëtarë, nuk ka ndodhur vetëm njëherë. Ai ka ndodhur gati cdo ditë gjatë qeverisjes PDK-LDK gjatë viteve 2007-2010. LDK nuk ka nevoje që sërish t’i nënshtrohet përuljes së tillë.”