Telegrafi

Osmani dekoron ushtrinë bullgare me Medalje Presidenciale, asaj i jepet “Çelësi i Sofjes”

Gjatë vizitës zyrtare në Bullgari, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në prezencë të homologut bullgar, Rumen Radev, ministrit në detyrë të mbrojtjes, Dimitar Stoyanov dhe gjeneralmajorit Valeri Tsolov, ka dekoruar Forcat e Armatosura të këtij shteti me Medaljen Ushtarake Presidenciale për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës KFOR-it në Kosovë.

Osmani ka theksuar se aktualisht në kuadër të KFOR-it akoma shërbejnë ushtarët bullgarë, teksa nga viti 1999 janë 1 mijë e 600 ushtarë bullgarë, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.

Teksa ka folur për pasojat e luftës në Kosovë dhe intervenimin e NATO-s, ajo ka deklaruar se Bullgaria qysh në atë kohë ishte në anën e Kosovës.

“Bullgaria nuk ishte ende anëtare e NATO-s në vitin 1999, megjithatë mori vendime të vështira por të drejta për të siguruar që ndërhyrja e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë të ishte e suksesshme në ndalimin e krimeve monstruoze nga forcat gjenocidale  të Millosheviqit”.

Në Universitetin “Shën Kirili e Metodi”, Osmani u nderua me mirënjohje e më pas para diplomatëve, stafit akademik dhe studentëve foli për paqen dhe prosperitetin nëpërmjet integrimit euroatlantik në Evropën Juglindore.

Kurse, Katedrës së Gjuhësisë së Përgjithshme dhe e të gjuhëve indo-evropiane dhe Ballkanike i ka dhuruar mirënjohje për studimin dhe kultivimin e mëtejmë të gjuhës shqipe në kuadër të Departamentit të Ballkanistikës.

Gjatë vizitës në Bullgari, Osmani në shenjë nderimi i është dhuruar çelësi i Sofjes nga prefektja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova.

“Çelësi hap dyer. Kjo vizitë zyrtare në Bullgari ka hapur shumë mundësi bashkëpunimi bilateral ndërmjet dy shteteve e kryeqyteteve si dhe qytetarët tanë do t`i ofrojë më shumë ndër vete në funksion të dobisë reciproke”, ka theksuar presidentja. /Telegrafi/