Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka quajtur absurde deklaratat e Memli Krasniqit se LDK ka bashkëpunuar me Listën Serbe për të përkrahur Gjykatën Speciale në takimin në Parlamentin Evropian.
Vjosa Osmani nga LDK-ja ka thënë se qëndrimi i LDK-së është i ditur për Specialen dhe se nuk kanë asgjë për të shtuar.
Ajo tha se kundërshtimi i PDK-së ka qenë i panevojshëm dhe ka ndikuar në prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me Parlamentin Evropian.
Osmani tha se LDK do të vazhdojë të kundërshtoj çfarëdo iniciative që ndikon negativisht në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.
“Qasja e LDK ka qenë ajo që e kemi mbajt edhe më herët nuk ka ndryshuar asgjë. Problemi më i madh është dëmtimi që është bërë në parlamentin evropian. Është një akt shumë i keq në raportet tona me bashkimin evropian dhe na vjen keq që PDK po merr hapa të tillë e po vazhdon. LDK do të kundërshtoj qëndrime të tilla që kanë për qëllim prishjen e raportit me ndërkombëtarët”, tha ajo, transmeton EO.
“Kemi bërë një kërkesë për debat për këtë çështje sepse e konsiderojmë se është e nevojshme që qytetarët të dinë për këtë dëmet që janë bërë në parlamentin evropian”.
“Deklarata e zotëri Krasniqi është absurde, sepse vet ata janë në koalicion me Listën Serbe. Jo vetëm që janë në koalicion me ta por të gjithë varen nga Lista Serbe. LDK nuk bashkëpunon me Listën Serbe sepse nuk ka nevojë për qëndrimet e veta shtet formuese e aq më pak të flas me Vuçiqin ashtu siç bën PDK”, tha Osmani.