Presidentja Vjosa Osmani ka uruar 2 Korrikun, me ç’rast ka thënë se Deklarata Kushtetuese e vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës shënoi kthesë historike për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Osmani është shprehur se deklarata hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Republikën e Kosovës.
“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë. Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim”, është shprehur Osmani.
Sipas saj, 2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për vendin tonë.
“Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi. 2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/