Telegrafi

Osmani – Darçiashvili: OSBE-ja nuk do t’i kursejë përpjekjet për të përmirësuar situatën e njerëzve në Gjeorgji

Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot, në Gjeorgji u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të vendit, Ilia Darçiashvili, njoftojnë nga MPJ.

Në pres-konferencën e përbashkët në Tbilisi, thonë nga MPJ, Osmani theksoi se si Kryesues, Maqedonia e Veriut përpiqet për zgjidhje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të konflikteve që prekin Gjeorgjinë, duke aluduar në vazhdimin e adresimit të këtyre çështjeve në kuadër të kanaleve kryesore diplomatike për dialog, që janë nën udhëheqjen e përbashkët të BE-së, OSBE-së dhe OKB-së.

“Dialogët Ndërkombëtarë në Gjenevë dhe Mekanizmi për Parandalimin dhe Përgjigjen ndaj Incidenteve janë procese vitale diplomatike, të cilat duhet të mbeten të hapura, jo vetëm që të shmangen eskalimet e mëtejshme, por edhe për t’u ballafaquar me pasojat e konfliktit të vitit 2008 në Gjeorgji”, theksoi Osmani.

Përndryshe, thuhet në njoftimin e MPJ-së, dialogët ndërkombëtarë në Gjenevë, janë e vetmja platformë ku të gjithë pjesëmarrësit relevantë takohen në nivel politik që nga viti 2008, e të cilët fokusohen në çështjet e sigurisë dhe ato humanitare. Një nga arritjet kryesore të Dialogëve Ndërkombëtar në Gjenevë është vendosja e Mekanizmit të përbashkët për Parandalimin dhe Përgjigjen ndaj Incidenteve, qëllimi i të cilëve është qetësimi i tensioneve.

Në kontekst dhe në drejtim të mesazhit të Kryesimit “Fjala është për njerëzit”, Osmani e potencoi mbështetjen e tij në të gjitha qasjet pragmatike për zgjidhje paqësore të situatës, me qëllim që të sigurohen rezultate reale, pikërisht për njerëzit të cilët janë prekur nga konfliktet.

“Më lejoni të jem i qartë, ata e presin këtë nga ne. Le t’u ofrojmë rezultate reale që do t’u mundësojnë ta jetojnë jetën në paqe dhe prosperitet”, theksoi Osmani.

Ai gjithashtu shtoi se OSBE-ja nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të përmirësuar gjendjen e tyre dhe në bashkëpunim me partnerët e saj, do të vazhdojë ta promovojë lirinë e lëvizjes dhe të ngrejë çështje thelbësore humanitare, veçanërisht për personat e burgosur, të zhvendosur dhe të zhdukur./Telegrafi/