Site icon Telegrafi

Osmani çmon qëndrimin afirmativ të Hungarisë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, u takuan sot me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto, me të cilin biseduan edhe për dialogun me Serbinë.

Presidentja ia shprehu ministrit Szijjarto mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin që Hungaria ka dhënë për procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe të konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës.

“Ne e çmojmë lart qëndrimin afirmativ të Hungarisë për liberalizimin e vizave për Kosovën, si dhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës”, tha presidentja Osmani.

“Kosova i ka përmbushur prej kohësh të gjitha kërkesat e parashtruara nga Bashkimi Evropian dhe presim që përkushtimi i popullit dhe i institucioneve të Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane të respektohet”, tha më tej Osmani.

Ajo nënvizoi raportet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve. “Lidhjet mes popujve tanë janë të hershme dhe përkojnë me synimet e popujve tanë për t’i mbrojtur dhe promovuar vlerat evropiane”, tha Osmani.

Presidentja Osmani dhe ministri Szijjarto biseduan edhe për dialogun me Serbinë, për të cilën presidentja tha se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të përkrahur edhe nga SHBA-ja.

Ajo theksoi se palët në dialog duhet trajtuar si të barabarta dhe se procesi duhet të përmbyllet me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, brenda kufijve ekzistues.

Ministrat e Jashtëm theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në shumë fusha dhe nënvizuan faktin se ofrimi i 75 bursave nga Hungaria për skemën “Stipendium Hungaricum” është një mundësi e shkëlqyer që të rinjtë tanë të marrin formim në fusha të ndryshme në Hungari, por edhe që ta njohin më mirë kulturën hungareze. /Telegrafi/

Exit mobile version