Site icon Telegrafi

Osmani bën homazhe në Çikatovë: Kjo masakër dëshmon qëllimin shfarosës që Serbia e kishte ndaj popullit shqiptarë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot ka bërë homazhe te varret e dëshmorëve në Çikatovë të vjetër, të Drenasit, ku tha se kjo është një prej masakrave më mizore dhe më të tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë.

Sipas saj, qëllimi i Serbisë ishte shfarosja e popullit shqiptarë, për të cilën siç tha ajo e dëshmon dhe kjo masakër.

“Jemi këtu për të nderuar të gjithë viktimat e masakrës së Çikatovës. Është një prej masakrave më mizore dhe më të tmerrshme, e cila e dëshmon qartë qëllimin shfarosës që Serbia e kishte ndaj popullit shqiptarë. Kushdo që mund të ketë dyshime rreth këtij qëllimi, mjafton që të vij në Çikatovë, pastaj të shkoj dhe në Poklek dhe ta shoh se si serbët nuk kursyen më të vjetrit dhe më të vegjlit, për të treguar se qëllimi i tyre nuk ishte vetëm spastrimi etnik, por që ta zhduk popullin shqiptar nga faqja e dheut”, ka thënë Osmani.

Ajo po ashtu tha se vetëm kur të vihet drejtësia për të gjithë të rënët e popullit shqiptarë, atëherë do të ketë paqe dhe stabilitet në rajon.

“Ne që sot jemi të gjallë fal sakrificës së tyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës e kemi borxh që të sigurojmë drejtësi për secilin prej tyre, sepse vetëm ditën kur të ketë drejtësi për të gjithë të rënët e popullit tonë atëherë edhe paqja dhe stabiliteti afatgjatë në rajonin tonë do të jetë i mundur”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/ 

Exit mobile version