Telegrafi

Osmani: Ata që shkelin statutin e partisë, shkelin edhe Kushtetutën

Vjosa Osmani deputete e LDK-së në Zona B të Klan Kosovës ka bërë një ndërlidhje në mes të situatës së deputeti socialist në Shqipëri, Ben Blushi dhe vetës së saj.Ajo ka thënë se s’ka demokraci nëse partitë nuk janë demokratike.

“Kur i dëgjoj fjalimet e Ben Blushit është interesant sa shumë ngjason me situatën që unë dhe bashkëmendimtarët e tjerë e përjetojmë në LDK. Vitet e fundit na kanë treguar se pa demokraci të brendshme partiake as që mund të mendohet një transferim në institucione”, tha Osmani.

“Mbyllja e derës për personalitete, mos lejimi i fjalës së lirë tregon se këta persona veprojnë njëjtë në institucione tjera publike”, tha ajo.

“Ata persona që shkelin statutin e partisë, lënë të kuptohet se shkelin edhe kushtetutën e vendit”, ka thënë Osmani, njofton Klan Kosova.

Më tej deputetja Osmani ka përgënjeshtruar edhe nënkryetarin e partisë Lutfi Hazirin.

“Unë nuk kam kërkuar asgjë që nuk ka qenë e paraparë me statutin e partisë. Unë e dëgjova në Info Magazine një të pavërtetë të madhe nga nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, ku ka thënë se vota pa kundërkandidatë dhe jo me votim të fshehtë s’ka qenë në atë kohë në statut. Kjo është plotësisht e pavërtetë. Kjo ka qenë në statut moti dhe është normë e partive popullore evropiane që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë dhe të ketë kundërkandidatë”, ka thënë Osmani.