Site icon Telegrafi

​Osmani: Askush nuk jemi mbi Kushtetutën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Kosova mbetet e angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

“Askush nuk jemi mbi Kushtetutën”, tha Osmani gjatë fjalimit të saj në konferencën ndërkombëtare me temën: “Evoluimet në drejtësinë kushtetuese bashkëkohore – shembulli i rajonit të Ballkanit”, të organizuar të enjten në Prishtinë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Ajo theksoi se një forum i tillë kontrbuon në thellimin e bashkëpunimit të gjykatave drejt standardeve më të larta në respektim të Kushtetutës.

Sipas presidentes, Kosova përgjatë 16 vjetëve si shtet i pavarur ka dhënë një shembull “jashtëzakonisht të mirë të sundimit të ligjit”.

Ajo theksoi se institucionet e Kosovës kanë treguar kulturë të lartë institucionale në respektimin e vendimeve kushtetuese sipas saj edhe në rastet kur nuk iu kanë pëlqyer.

“Kosova mbetet e angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut të cilat janë mishëruar si vlerat themelore të rendit tonë kushtetues dhe janë vendosur në vet-themelet e shtetit tonë…Republika e Kosovës përgjatë 16 viteve të pavarësisë saj dhe 15 viteve të ekzistimit të Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një shembull jashtëzakonisht të mirë të sundimit të ligjit dhe në veçanti institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar një kulturë të lartë institucionale në respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe pse ka plotë raste kur nuk iu kanë pëlqyer”, tha ajo.

Osmani tha se asnjëri nuk është mbi Kushtetutën.

“Një demokraci dhe një Kushtetutë mund të themi se ka pas sukses të plotë vetëm atëherë kur të gjithë ne që jemi qoftë në institucione politike, qoftë në gjykata, përfshirë Gjykatën Kushtetuese e kuptojmë se asnjëri, askush nuk jemi mbi Kushtetutën”, u shpreh Osmani.

Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, i themeluar më 27 tetor të vitit 2023, bashkon Gjykatat Kushtetuese të Bullgarisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Turqisë dhe Shqipërisë, rreth vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut.

Në hapje të këtij takimi, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani u shpreh se për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është esenciale të bëhet anëtare e barabartë në Asociacionin Frankofon të Gjykatave Kushtetuese./kp/

Exit mobile version