Telegrafi

Osmani: 11 shtatori – ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar 23-vjetorin e sulmit tragjik të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA, ndaj kullave binjake.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se sulmi i 11 shtatorit ndryshoi rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike.

“Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike. Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3,000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive”, ka shkruar Osmani.

Tutje, Osmani tha se “Në këtë ditë gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë”. /Telegrafi/