Telegrafi

Osimhen kërkohet nga PSG, por në luftë janë edhe tri klube angleze

Ylli i sulmit të Napolit, Victor Osimhen mund të jetë një nga goditjet e mëdha të Paris Saint-Germain këtë verë, por konkurrenca do të jetë e vështirë për t’u mposhtur.

Vetëm 23-vjeç, Osimhen është tashmë një fytyrë e njohur e futbollit europian. Pasi shpërtheu në LOSC Lille, ai iu bashkua Napolit si pjesë e një transferimi prej 75 milionë euro në shtator të 2020-ës dhe ndonëse pati një ndalesë prej dëmtimeve, ai arriti të shënojë 17 gola në 25 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon.

Mjaftueshëm për të rënë në sy të klubeve më të mëdha në Evropë, siç është edhe Paris Saint-Germain.

Përballë largimit të mundshëm të Kylian Mbappe në fund të kontratës së tij, Leonardo i është afruar sulmuesit nigerian, i cili mund të largohet nga Napoli dhe kjo lëvizje mendohet të kushtojë rreth 100 milionë euro.

Sipas raportimeve të medieve italiane, një largim i mundshëm i Victor Osimhen është një opsion që po studiohet aktualisht nga ana e Napolit.

Megjithatë, sulmuesi ndoshta nuk do të marrë rrugën drejt PSG-së, por atë të Ligës Premier, ku disa klube do t’i jepnin shumë hapësirë. Ky do të ishte rasti i Arsenal, por edhe Manchester United dhe veçanërisht Newcastle, të cilët janë të gatshëm të paguajnë një shumë të madhe për nigerianin.