Site icon Telegrafi

‘Oscars’ nuk përfshin Michelle Trachtenberg në homazhin përkujtimor “In Memoriam”

Segmenti tradicional “In Memoriam” i ceremonisë së ‘Oscars’, i cili nderon personalitetet e shquara të industrisë së filmit që janë ndarë nga jeta gjatë vitit të kaluar, shkaktoi zhgënjim mes fansave të dielën mbrëma për shkak të disa mungesave të dukshme.

Ndërsa figura të njohura si regjisori legjendar David Lynch dhe aktorja britanike Maggie Smith u përfshinë në homazhin përkujtimor, mungesa e Michelle Trachtenberg, e cila ndërroi jetë papritur të enjten në moshën 39-vjeçare, u vu re nga shumë shikues.

Vdekja e saj tronditi fansat dhe kolegët, të cilët e përshkruan aktoren si një njeri të ngrohtë dhe punëtore, shkruan UsaToday.

Foto: Screenshot/Michelle Trachtenberg

Në rrjete sociale, yjet e Hollywood-it i bënë homazhe aktores, duke kujtuar momentet e tyre të veçanta me të.

Edhe pse Trachtenberg ishte e njohur kryesisht për rolet e saj televizive, ajo kishte një karrierë të pasur edhe në kinematografi.

Foto: Screenshot/Michelle Trachtenberg

Ajo u bë e famshme që në fëmijëri me rolin e saj në “Harriet The Spy”, ku luajti përkrah Rosie O’Donnell, dhe më vonë u shfaq në filma si “Ice Princess” dhe “17 Again”, ku luajti bashkë me të ndjerin Matthew Perry.

Perry, i cili u nda nga jeta në tetor të vitit të kaluar, u përfshi në segmentin “In Memoriam” gjatë ceremonisë së mëparshme të ‘Oscars’, duke shtuar edhe më shumë zhgënjimin e fansave për mungesën e Trachtenberg këtë vit.

Përjashtimi i saj nga nderimi përkujtimor ka nxitur diskutime mes ndjekësve të eventit, të cilët kanë kërkuar më shumë vëmendje për figurat e njohura që kanë lënë gjurmë në industri, pavarësisht nëse karriera e tyre ka qenë më e përqendruar në televizion apo në film. /Telegrafi/

Foto: Screenshot
Exit mobile version