Përkthyesit dhe lektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës u aftësuan në përdorimin e Softuerit të përkthimit elektronik gjatë një punëtorie dyditore të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë më 18 dhe 19 nëntor 2021.
Sipas komunikatës për medie, gjatë kësaj punëtorie interaktive, profesionistët gjuhësorë patën rastin të njihen me softuerin dhe të përdorin funksionet e tij inovative për rritje të produktivitetit në përkthim me anën e sugjerimit të përkthimeve të mundshme, korrigjimit dhe kontrollit të cilësisë. Kjo pajisje do të ndihmojë në sigurimin e përkthimeve profesionale dhe terminologjisë së duhur institucionale në mënyrë konsistente.
“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës nxjerrin dokumente të ndryshme zyrtare që duhen përkthyer në kohë dhe mënyrë profesionale në dy gjuhët zyrtare në Kosovë, gjuhën shqipe dhe atë serbe. Përmes dhurimit të 12 licencave të përhershme për softuer të cilësisë së lartë të përkthimit të asistuar nga kompjuteri për këto dy institucione, Misioni synon të përmirësojë ofrimin e shërbimeve për publikun në dy gjuhë”, thuhet në komunikatë.
“Falënderoj Misionin e OSBE-së në Kosovë që na ka siguruar këtë softuer të avancuar, që do të jetë jashtëzakonisht i dobishëm për t’i mundësuar Policisë së Kosovës të rrisë efektivitetin në dërgimin e porosive të qarta të gjitha komuniteteve të cilave u shërbejmë,” tha Kolonelja Taibe Canolli, drejtoreshë e Departamentit të Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës.
“Duke mbështetur profesionistët gjuhësorë në bërjen e përkthimeve të sakta në mënyrë të shpejtë dhe efikase, ky softuer do të shërbejë njëherësh dhe në ngritjen e besimit te policia,” shtoi ajo. /Telegrafi/