Mesfushori i talentuar i Baselit, Orges Bunjaku, ka pranuar ta përfaqësojë Kosovën në nivel ndërkombëtar.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Olle, ndihmëstrajneri i Përfaqësueses sonë, Muharrem Sahiti, i cili ka thënë se lojtari ka vendosur të luajë për skuadrën tonë, porse duhet pritur deri në përfundim të rregullimit të dokumentacioneve për t’u bërë e gjitha zyrtare.
“Orges Bunjaku i ka thënë ‘po’ Kosovës. Por, deri në momentin kur të shohim me dokumentacion por edhe të paraqitet në fanellën e Kosovës, atëherë mund të themi që definitivisht është i yni, pasi kemi rastin me Kemal Ademin, i cili në momente të fundit zgjodhi Zvicrën”.
“E gjitha kjo pasi ndonjëherë jo për kundër dëshirës së lojtarëve ose tonën, por po ndodhin disa gjëra edhe sikur po ndryshojnë mendjen. Gjithsesi, Orgesi i ka thënë ‘po’ Kosovës”, ka deklaruar asistenti i Bernard Challandes.
19-vjeçari që luan rolin e mesfushorit qendror, këtë edicion ka debutuar në skuadrën e parë të Baselit duke luajtur edhe një ndeshje në Ligën e Evropës. Në të kaluarën, ai ka luajtur për grupmoshat e reja të Zvicrës.