ORCA përmes një reagimi publik thotë se është e tronditur nga dëshmitë në media të studenteve dhe studentëve lidhur me ngacmimet seksuale dhe cenimin e integritetit personal e trupor të tyre nga profesori Xhevat Krasniqi.
Sipas ORCA, heshtja e universitetit dhe mosdistancimi nga shkeljet e pretenduara si hap i parë, është e frikshme dhe krijon rrethana të favorshme për mosndëshkim të kryesit të shkeljeve.
“Dëshmitë tronditëse të studenteve dhe studentëve lidhur me trajtimin jonjerëzor të tyre në përditshmërinë e tyre, tregojnë për një ambient të prapambetur akademik. Maltretimi i studentëve dhe sjellja e keqe ndaj tyre po bën që dita ditës Universiteti i Prishtinës, ndonëse më i miri në vend, të ketë më pak studentë, ndërkohë ata po ua mësyjnë kolegjeve private ku trajtimi si klient blerës është pakrahasimisht më i mirë se cilido trajtim në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në reagim.
Tutje, ORCA thekson se inkompetenca e Këshillit të Etikës po rrezikon reputacionin e universiteti.
“Në njërën anë fsheh dhe justifikon ngacmimet seksuale, në anën tjetër merr vendime absurde në mbrojtje të plagjiatorëve dhe kështu ka krijuar një imazh ku UP-ja duket si strehë e sigurt e plagjiatorëve, ngacmuesve dhe shkelësve të tjerë.
Praktikat e maltretimit të studentëve përmes mënyrave primitive të notimit duke i detyruar të presin me orë të tëra në koridore për tu mbyllur pastaj në zyra ku ndaj tyre përdoret gjuhë ofenduese duhet të marrin fund. Kalueshmëria e studentëve në provime duhet të jetë matës i performancës së profesorëve po ashtu”.
Më tej, në reagim thuhet se “koordinatorët e cilësisë duhet ta monitorojnë kalueshmërinë e studentëve dhe ta vërejnë kur paraqiten anomali të moskalimit në provime të studenteve femra për disa herë, çka është metodë e vjetër e kushtëzimit seksual e raportuar për vite me radhë në UP”.
“Një numër i konsiderueshëm i profesorëve duhet po ashtu t’i nënshtrohen vlerësimit psikiatrik për t’i vlerësuar aftësitë e tyre për ta kryer punën e profesorit në universitet.
ORCA përsëritë edhe një herë nevojën e vetingut akademik si mjet për pastrimin e tij nga ngacmuesit, plagjiatorët dhe shkelësit e tjerë të mundshëm.
Studentetet dhe studentët që po flasin publikisht për rastin në fjalë, ORCA i konsideron heronj të luftës për integritet akademik dhe shfrytëzon rastin t’i ftojë të gjithë kolegët dhe koleget e tyre të raportojnë për raste të ngjashme”./Telegrafi/