Evropa do të duhet të rimendojë mbështetjen e saj për Ukrainën nëse Donald Trump zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara.
Ky është mendimi i kryeministrit hungarez Viktor Orban, sipas të cilit, kontinenti “nuk do të jetë në gjendje të mbajë i vetëm barrën e luftës”, përcjell Telegrafi.
Orban kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe e ka bërë të qartë se mendon se Trump ndan pikëpamjet e tij dhe do të negocionte një zgjidhje paqeje për Ukrainën.
Ai mbështet ish-presidentin Trump, kandidatin e Republikanëve, ndaj kandidates demokrate Kamala Harris në zgjedhjet e së martës në SHBA.
“Ne (në Evropë) duhet të kuptojmë se nëse do të ketë një president pro paqes në Amerikë, në të cilin unë jo vetëm besoj, por edhe i lexoj numrat në atë mënyrë, … nëse ndodh ajo që presim dhe Amerika bëhet pro-paqe, atëherë Evropa nuk mund të mbetet pro luftës”, ka thënë Orban.
Ndryshe, Orban ka zemëruar Brukselin me lidhjet e tij të ngushta me Rusinë dhe kundërshtimin ndaj ndihmës për Ukrainën.
Ndërkohë ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto tha në korrik se qeveria hungareze e sheh Trumpin si një “shans për paqe” në Ukrainë. /Telegrafi/