Viktor Orban ka zgjedhur Oliver Varhelyi si kandidatin e Hungarisë për Komisioner Evropian, pavarësisht historisë së diskutueshme të Varhelyi në pesë vitet e tij në Bruksel.
Kryeministri njoftoi kandidatin pas asaj që ai e përshkroi si një “konsultim të fundit” me Ursula von der Leyen, e cila në fillim të këtij muaji u rizgjodh si presidente e Komisionit Evropian me një shumicë më të madhe se sa pritej.
Si hap të ardhshëm, von der Leyen duhet të krijojë Kolegjin e saj të ri të Komisionerëve, të përbërë nga të nominuarit e dërguar nga secili shtet anëtar.
Presidenti ka të drejtën e vetme për të caktuar portofolet e politikave dhe për të hartuar strukturën hierarkike të ekzekutivit, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se kryeqytetet kanë kohë deri më 30 gusht për të komunikuar zgjedhjet e tyre, megjithëse shumë prej tyre kanë vënë tashmë një emër.
Në rastin e Hungarisë, i zgjedhuri është Oliver Varhelyi, i cili aktualisht shërben si Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin.
“Gjatë pesë viteve të fundit Komisioneri Varhelyi ka dëshmuar se BE-ja mund të bëjë ndryshim si një forcë pozitive në fqinjësinë e saj dhe më gjerë. Ai do të bëjë një punë të shkëlqyer në Komisionin e ardhshëm”, ka shkruar Orban në rrjete sociale.
Duke reaguar ndaj lajmit, Varhelyi tha se është një “nder i jashtëzakonshëm të emërohesh” dhe se “mezi pret të vazhdojë punën e përbashkët me von der Leyen”.
Por, nëse 52-vjeçarit do t’i jepet një shans i dytë, mbetet shumë e dyshimtë.
Kjo pasi emërimi i tij varet nga një seancë konfirmimi në Parlamentin Evropian, ku ai ka qenë shënjestër e kritikave të pandërprera për ndjekjen e një axhende në përputhje me qeverinë e Orbanit.
Me shanse të pakta për një konfirmim të suksesshëm, nominimi do të nxisë spekulimet se Orban po e mban zgjedhjen e tij reale si plan B, pasi oferta e Varhelyi të anulohet nga eurodeputetët.
Në vitin 2019, zgjedhja e parë e Hungarisë, Laszlo Trocsanyi, u refuzua për një konflikt të supozuar interesi, duke çuar në shfaqjen e Varhelyi si zëvendësues.
Për pesë vitet e fundit, Oliver Varhelyi është kritikuar shpesh për përafrimin e pikëpamjeve të tij me qeverinë e Orbanit.
Një mandat i diskutueshëm
Qëndrimi i Varhelyi në Bruksel është dëmtuar nga një sërë polemikash, të cilat do të rishfaqen kur ai të përballet me shqyrtimin e parlamentit.
Janar 2023: Parlamenti kërkon një “hetim të pavarur dhe të paanshëm” për të përcaktuar nëse Varhelyi ka shkelur kodin e sjelljes së Komisionit. Eurodeputetët akuzojnë zyrtarin e lartë se ka nënvlerësuar zmbrapsjen e sundimit të ligjit të Serbisë dhe mbështetjen e veprimeve separatiste të Milorad Dodik në Bosnje dhe Hercegovinë. Varhelyi deklaron se akuzat janë “lajme të rreme” dhe mbron punën e tij.
Shkurt 2023: Gjatë një debati parlamentar për Ballkanin Perëndimor, Varhelyi kapet duke pyetur “Sa idiotë kanë mbetur akoma?” Momenti bëhet viral në rrjete sociale dhe shkakton një reagim të furishëm nga eurodeputetët, të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij. Varhelyi kërkon falje dhe thotë se komenti ishte “i lidhur me një bisedë private dhe të vazhdueshme” me kreun e kabinetit të tij dhe “i marrë jashtë kontekstit”.
Tetor 2023: Menjëherë pas sulmeve të Hamasit kundër Izraelit, Varhelyi papritmas njofton se “të gjitha pagesat” ndaj autoriteteve palestineze do të “pezullohen menjëherë”. Deklarata bën tituj ndërkombëtarë dhe shkakton reagim nga disa shtete anëtare. Përballë pyetjeve, Komisioni sqaron se Varhely veproi pa miratimin e von der Leyen.
Maj 2024: Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, akuzon një Komisioner të paidentifikuar për “shantazh” mbi ligjin e tij të diskutueshëm për “agjentët e huaj”. Gjatë një telefonate, Komisioneri iu referua tentativës për vrasjen e Robert Ficos të Sllovakisë, të cilën Kobakhidze e mori si një kërcënim “jashtëzakonisht shqetësues”. Në një deklaratë, Varhelyi thotë se biseda ishte keqinterpretuar dhe se ai përdori rastin e Ficos për të folur për rreziqet e një “niveli të lartë polarizimi” në përgjithësi.
Maj 2024: Varhelyi udhëton në Izrael në një cilësi zyrtare dhe takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe Ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant. Takimi zhvillohet vetëm disa ditë pasi prokurori i përgjithshëm i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) njoftoi se po lëshonte urdhërarrest për Netanyahun dhe Gallantin, ndër të tjera, me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Telegrafi/