Telegrafi

Orban dhe Erdogan shkëmbejnë dhurata në Budapest, lideri turk ia prezanton veturën Togg – e ai hungarez ia jep një kalë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjendet për një vizitë në Budapest të Hungarisë, ku është takuar me kryeministrin hungarez Viktor Orban.

Qëllimi i vizitës është 100 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes këtyre dy vendeve, transmeton Telegrafi.

Dy liderët me këtë rast kanë shkëmbyer dhuratat. Erdogan i dhuroi Orbanit një veturë turke – Togg me ngjyrë të zezë me targat me numër simbolik HU TR-100.

E Orban shfrytëzoi rastin të ulet prapa timonit të Togg, kurse Erdogan e njoftoi me karakteristikat e kësaj veture.

Lideri hungarez nuk i mbeti borxh, kështu Erdoganit i dhuroi një kalë.

Pas takimit, Erdogan deklaroi se tregtia mes dy vendeve ka arritur vlerën e katër miliardë dollarëve dhe se synimi është të arrijë në gjashtë miliardë.

Orban tha se ky është takimi i 21-të zyrtar me Erdoganin dhe se mbështet liberalizimin e vizave për Turqinë.

Ai theksoi gjithashtu rolin e Turqisë në luftën kundër migracionit të paligjshëm, dhe në negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë. /Telegrafi/