Oracle Corp planifikon të investojë 1.39 miliard euro (1.5 miliard dollarë) në Arabinë Saudite në vitet e ardhshme.
Kërkesa e shtuar për “kompjuterin cloud” ka shtyrë kompanitë e teknologjisë si Oracle, Microsoft, Amazon dhe Google Alphabet të krijojnë qendra të dhënash në të gjithë botën për të përshpejtuar transferimin e të dhënave.
Zyrtarët sauditë u kanë kërkuar kompanive ndërkombëtare që të investojnë në mbretëri dhe të zhvendosin selinë e tyre rajonale në Riad në mënyrë që të përfitojnë nga kontratat e qeverisë, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.
“Jemi duke finalizuar planet. Ne ende jemi duke punuar me furnizuesit tanë përpara se të njoftojmë datën e hapjes”, deklaroi në një intervistë nga Dubai, Nick Redshaw, një nënkryetar i lartë në Oracle.
Redshaw tha se investimi do të bëhet gjatë disa viteve pa dhënë detaje.
Ai shtoi se Oracle do të zgjerojë gjithashtu kapacitetin e rajonit të saj cloud në Jeddah, të cilin kompania e hapi për herë të parë në vitin 2020.
Kompania e bëri njoftimin teksa kompanitë globale të teknologjisë u mblodhën për një konferencë të madhe teknologjike në kryeqytetin saudit të Riadit.
Megjithëse Oracle ngec nga rivalët e saj më të mëdhenj në garën për t’u kthyer në tregun e “kompjuterëve cloud”, ajo ishte ndër kompanitë e para të mëdha të teknologjisë që hapi një qendër të dhënash në Arabinë Saudite. /Telegrafi/