Qershori në Tiranë nis me super evente. Pas koncertit të mbrëmshëm që shënjoi edhe përurimin e Teatrit të Hapur, në 1 dhe 3 qershor në sheshin “Skënderbej” do të zbresin artistët më mirë shqiptarë të momentit, brenda dhe jashtë vendit.
Më 1 Qershor Ermal Meta dhe më 3 Qershor Rita Ora vijnë në Tiranë për të sjellë një eksperiencë të paharrueshme së bashku me artistët tanë më të mirë të skenës kombëtare.
Marsela Çibukaj dhe Vitmar Basha do të ndezin skenën nesër për të pritur më pas fituesin e Sanremos, Ermal Meta dhe përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion, Eugent Bushpepajn.
Në datën 3 Qershor Sheshi “Skënderbej” do të digjet nga energjia e Kidës dhe do të kulmojë me performancën e shumëpritur nga gjithë shqiptarët të këngëtares me famë botërore, Rita Ora.
Dy netë të mrekullueshme me dy emra të skenës botërore që i bëjnë shqiptarët gjithmonë krenar.
Të dy koncertet do jenë të hapur për publikun, ndaj bëhu gati se ka ardhur Ora e Super Muzikës. /Panorama/