Site icon Telegrafi

​Optimizëm për largim të masave sanksionuese në vjeshtë

Me konstituimin e strukturave të reja në Bashkimin Evropian, ka optimizëm se do të largohen masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe njohësit e integrimeve evropiane, presin që masat të hiqen në muajt në vijim dhe të ndryshohet qasja e BE-së ndaj Kosovës.

Mirëpo në Bashkimin Evropian nuk u përgjigjën nëse do të ketë vendimmarrje nga ministrat e punëve të jashtme të unionin pas vendosjes së estabilishmentit të ri. Në anën tjetër, në partinë opozitare Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, janë më skeptik për largimin e masave, derisa thonë se Kosova mund të rrezikojë edhe fondet e BE-së, gjatë vitit 2025 për shkak të masave.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se masat duhet të largohen sa më parë, pasi si të tilla kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta.

Ajo thotë se pret që pas vendosjes së strukturave të reja të BE-së, pas zgjedhjeve të fundit atje, të ketë vendimmarrje pozitive për largimin e masave, si dhe të ndryshojë qasja, siç e quan ajo diskriminuese ndaj Kosovës.

“Deri tani masat ndaj Kosovës kanë qenë të paarsyeshme dhe tërësisht të padrejta. Kosova është ende nën masa për arsye të zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë me shkuarjen e kryetarëve të zgjedhur në mënyrë legjitime në komunat veriore, ndërsa Serbia nuk është ndër masa dhe s’ka pasuar pasoja nga mbështetja e një sulmi terrorist në Kosovë dhe cenimi i sovranitetit tonë.

Është dashur sa më parë që këto të hiqen, natyrisht duke marrë parasysh veprimet dhe gatishmërinë e institucioneve tona për të qenë në përputhje dhe bashkërendim me politikën e jashtme të BE-së. Ne shpresojmë që të ketë qasje krejtësisht tjetër, e kemi pa të gabuar dhe diskriminuese qasjen ndaj Kosovës dhe në veçanti propozimin e ndërmjetësit Lajçak për t’i vënë masa Kosovës”, thekson Kusari-Lila.

Megjithëse thotë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të hiqen, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, shpreh brengën, siç thotë të vazhdimit të masave për shkak të veprimeve të pakoordinuara në veri.

“Ne kemi pas fillimisht paralajmërime që mos të veprohet në këtë drejtim pa koordinim në pjesën veriore pasi do të sanksionohemi. Këta(qeveria Kurti) kanë vazhdua me ritmin e vet dhe ne jemi të sanksionuar sot. Madje ka tendencë që të vazhdohen këto sanksione, pasi në këtë vit buxhetor BE-ja prapë ka ndarë buxhet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jemi të rrezikuar që të humbin buxhetin shtesë.

Kërkesa e aleatëve tanë ka qenë që të mos punohet në destabilizim të situatës por të punohet në normalizim të situatës në pjesën veriore. Ata po konsiderojnë se veprimet e tilla, sulmet e tilla, psh arrestimi i një serbi që i ka fishkëllu zotëri Kurti është gabim”, thekson Kadrijaj.

Ndërkaq, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress, se BE-ja mund t’i heq masat ndaj Kosovës, mirëpo me një zotim për depërshakllëzim të plotë në veri, integrim të komunitetit serb, si dhe zbatim të obligimeve të dala nga dialogu i Brukselit.

“Po pres që komisioni i ri mund të marrë një vendim që të largohen masat, por me një zotim që qeveria e Kosovës, të paktën në një periudhë gjashtë mujore që t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet që është dakorduar me BE-në. Kjo nënkupton një integrim gjithëpërfshirës i komunitetit serb në veri.

Më shumë e mundshme është që të largohen masat pasi edhe BE-ja e kupton që duhet të ketë një rinisje të një marrëdhënie më të mirë dhe më të shendosh mes Kosovës dhe BE-së. Kosova s’është një vend që krijon probleme BE-së në politikën e jashtme apo të rajonit, prandaj po besoj se mund të ketë një dakordim që të largohen masat”, deklaron Arifi.

Gjatë muajit qershor të këtij viti, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u rekomandoi shteteve anëtare që të heqin masat ndëshkuese ndaj Kosovës, mirëpo pavarësisht kësaj ende s’ka një vendim pozitiv për vendin.

BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, për shkak të tensioneve në veri.

Exit mobile version