Partitë opozitare shqiptare Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, e akuzojnë pushtetin në lidhje me kushtet në arsim.
Këto parti thonë se gjysmë vjetori i dytë ka filluar me problemet e vjetra për nxënësit, ndërsa sipas tyre, partitë në pushtet nuk kanë ndërmarrë asgjë për përmirësimin e kushteve për nxënësit.
“Sot, fillon gjysmëvjetori i dytë shkollor dhe fatkeqësisht po e nisim me problemet e vjetra. Kjo qeveri, në vend të krijimit të kushteve për reforma në arsim, po vazhdon me avazin e qeverisë së vjetër, ku akoma ballafaqohemi me mungesë të objekteve, teksteve shkollore dhe politizim të skajshëm të arsimit, madje duke i shkelur edhe ligjet që kanë të bëjnë me fushën e arsimit”, tha Shenasi Xheladini nga Lëvizja Besa.
Ndërsa nga ASH thonë se arsimi është hallka e shoqërisë për të cilën shteti duhet të investojë shumë që ajo të mos ndryshket.
“Është më se turpshme të shohësh se si nxënësit mësojnë nga libra të grisur nga ku mezi lexohet dhe ky problem nuk ka gjetur zgjidhje që nga viti 2014. Është më se e turpshme kur vendi jonë me dy gjuhë zyrtare atë maqedonase dhe shqipe, në sistemin arsimor nuk u siguron edukim në gjuhë amtare shumë nxënësve shqiptarë. Është turp për çdo ministër që deri sot ka marrë përgjegjësinë e arsimit të lejojë që banjot e shkollave edhe në vitin 2020 të jenë vatër e sëmundjeve”, thonë nga ASH.
Ndryshe, sot në Maqedoninë e Veriut nxënësit e kanë filluar gjysmë vjetorin e dytë të vitit shkollor 2019/2020./Telegrafi/