Vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik do të jetë 105 euro, ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës. Ligji i Pagave që hyn në fuqi pas pak ditësh rregullon çështjen e pagave për mbi 82 mijë punëtorët e sektorit publik.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se koeficienti më i vogël se 125 është shkatërrim i ekonomive familjare.
Ai ka kritikuar Qeverinë për llogaritjen e koeficientit 105 euro në kohën kur ka inflacion.
“Çmimet janë RRITË deri në kulm, Qeveria e ka DYFISHUAR tatimin në pronë, përkrahje ZERO për qytetarët, tash edhe pagat MINIMALE. Në anën tjetër, Qeveria mbanë QINDRA MILIONA euro të pashpenzuara, në këtë kohë KRIZE! Ministrat e kanë lehtë se pagën, xhipat, naftën, darkat ua paguajnë qytetarët me tatimet e tyre, prandaj nuk e ndjejnë krizën financiare të qytetarëve”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti kryemashtrues që ka për qëllim trazirat.
“Kryemashtruesi pasi që bëri lojë psikologjike me fshehjen e vlerës së koeficientit, sot publikon vlerën dëshpëruese prej 105€! Ky kryemashtrues nuk ia do të mirën qytetarëve dhe vendit të vet! Me të gjitha këto veprime në kohën e fundit, kryemashtruesi ka vetëm një qëllim – TRAZIRAT!”, ka shkruar Lushtaku në Facebook. /Telegrafi/