Site icon Telegrafi

Opozita pranon draft-statutin e Asociacionit – AAK konfirmon, PDK e LDK heshtin

Bashkimi Evropian u ka dorëzuar partive politike opozitare edhe zyrtarisht një kopje në gjuhën angleze të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar për Telegrafin se të enjten u është dorëzuar një kopje e draft statutit të Asociacionit.

Kushtrim Xhemaili nga AAK tha për Telegrafin kjo parti do t’i japë komentet lidhur me draft-statutin pasi ta diskutojnë në organet e partisë.

“Po, mund të ju konfirmoj që dje na është dorëzuar një kopje e draft-statutit të Asociacionit, në gjuhën angleze. Ndërsa, komentet tona për këtë dokument do t’i shpalosim pas diskutimeve në organet e partisë”, tha ai.

Lexo po ashtu Vazhdimi i dialogut, Lajçak: E kemi një plan, e diskutuam me Kurtin - por s'mund të jap detaje

Telegrafi u ka shkruar edhe dy partive tjera opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Por, burime të Telegrafit brenda dy partive më të mëdha opozitare kanë konfirmuar në kushte anonimiteti se tashmë kanë pranuar draftin.

Siç merr vesh Telegrafi, madje ka edhe disa deputetë dhe zyrtarë të partive politike opozitare që ka disa ditë që kanë pranuar draftin në gjuhën angleze, e që është pothuajse i njëjti me draftin që javë më parë e ka publikuar Burim Ramadani, e me ndryshime të vogla.

Draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes evropiane në Prishtinë gjatë muajit tetor, e ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërkaq, pas vizitës në tetor, Lajçak po ashtu ishte për vizitë në Kosovë më 7 nëntor, ku takoi përfaqësuesit e partive opozitare lidhur me draft-statusin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas këtij takimi, përfaqësuesit e partive opozitare patën dhënë deklarata kontradiktore në lidhje me atë se a kanë parë ose jo draft-statutin në takimin me Lajçak.

Lexo po ashtu Deklaratat kundërthënëse - çfarë thanë Krasniqi, Haziri e Haradinaj për Asociacionin pas takimit me Lajçakun

Derisa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, kishte thënë se patën mundësi që të njoftohen me dokumentin e draft-statutit për Asociacionin, Memli Krasniqi nga PDK dhe Lutfi Haziri nga LDK kanë thënë se nuk u njoftuan me dokumentin.

E gjatë këtyre dy muajve, Qeveria nuk ka publikuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të pranuar nga pesëshja evropiane.

Por, drafti që pretendohet të jetë i njëjti me atë që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, është publikuar nga ish-inspektori i përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani.

Ramadani ka thënë se ky draft është shumë i gjerë dhe i thellë, ndërsa ka shtuar se “Kosova duhet të fitojë diçka seriozisht të madhe si parakusht për zbatim të këtij dokumenti”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version