Dy partitë kryesore opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës thonë se bojkotimi i punës në Kuvend nuk do të ndërpritet përderisa nuk reflekton Qeveria, sidomos në raport me aleatët ndërkombëtar. Krahas kësaj deputetë nga të dy partitë thonë se synojnë që ta rrëzojnë Qeverinë në Kuvend, madje nëse do t’i kishin votat, këtë veprim zotohen se do ta ndërmerrnin që në ditët e para të Qeverisë Kurti.
Në fjalorin opozitar fjalët zgjedhjet e parakohshme ose dorëheqja e Kryeministrit janë shpeshtuar, sidomos në këtë fillim javë.
Megjithatë, qëndrimin zyrtar për bojkot të punës në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë prezente të mërkurën në Komisionin për Integrim Evropian.
Kryetarja Rrezarta Krasniqi thotë se ambasadori i BE-së do të ftohet për të sqaruar ose informuar për masat ndaj Kosovës, situatë ndaj së cilës kërkon reagim nga Qeveria.
“Ne presim që Qeveria të ndërmarr hapat e duhur dhe të dakordohet me SHBA-në dhe me BE-në, të shpallen zgjedhjet në pjesën veriore, d.m.th. kërkesat që janë, dhe të hiqen sanksionet ndaj vendit tonë”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi, deputete e LDK-së.
Krasniqi thotë se e dëshiron shkarkimin e kryeministrit Kurti, përkundër qëndrimit të LDK-së.
“Është vendim i çdo partie, ne ende nuk kemi mbajtur mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, por po flas si deputete sa më shpejt që të hiqet ky njeri prej pushtetit më mirë do të jetë ishte”, ka theksuar ajo.
Krasniqi insiston se si opozitë kanë qenë shumë konstruktive dhe kanë votuar marrëveshjet ndërkombëtare kur ka qenë në pyetje interesi nacional. Qëndrim të njëjtë ka edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
“Unë besoj që Kryeministri ose duhet të lëshojë pe, të dorëzohet e të dorëhiqet, ose duhet të jetë i përgjegjshëm që nuk ja falin qytetarët e Kosovës izolimin në të cilin ai është duke e drejtuar vendin”, ka deklaruar Blerta Deliu, deputete e PDK-së.
Partia e dytë opozitare është në kërkim të formës dhe votave në Kuvend për ta dërguar vendin në zgjedhje.
“Partia Demokratike e Kosovës me të gjitha format do ta shoh mundësinë (për zgjedhje të reja). Po e them ju e dini, dhe nuk kam se çka të deklarohem tjetër, përveç asaj që sot nuk i kemi votat. Nuk i kemi votat, sepse po t’i kishim mundësitë në formë demokratike për ta shkarkuar këtë Kryeministër, ne do të bënim që ditën e parë”, ka theksuar Deliu.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehu gatishmëri për rrëzimin e Qeverisë madje edhe me ftesë për mocion të mos-besimit, por pa përgjigje nga partitë opozitare./RTV Dukagjini/