Do të mungojë përgjigjja e përbashkët e subjekteve politike opozitare në ftesën për takim që tashmë e kanë pranuar nga Komisioni ad-hoc për demarkacionin me Malin e Zi. Jo të gjitha do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës, shkruan sot Koha Ditore.
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, është i pari nga opozita që ka takuar anëtarët e komisionit. I ka pritur të premten në zyrën e partisë që e drejton. Bilall Sherifi, sekretar i Nismës, ka konfirmuar takimin, por nuk ka dhënë ndonjë informatë për përmbajtjen e diskutimeve.
Edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka në plan që javën e ardhshme t’i takojë ekspertët ndërkombëtarë. Ai është midis njerëzve që më së zëshmi e ka kundërshtuar Marrëveshjen e demarkacionit.
Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka treguar arsyet për t’iu përgjigjur pozitivisht ftesës për takim.
Por lëvizja “Vetëvendosje” (LVV) ka ndarë mendjen që t’i përgjigjet negativisht kërkesës së Komisionit të themeluar këtë javë nga presidentja Atifete Jahjaga.