Gjykata e Apelit në Tiranë është tërhequr për të marrë vendimin e ndërmjetëm për vulën e Partisë Demokratike.
Gazetari i Euronews Ardit Hoxha bën me dije se tërheqja e trupës gjykuese është bërë pas kërkesës paraprake të paraqitur nga përfaqësuesi ligjor i grupimit të Berishës, Ivi kaso.
Kaso kërkoi që Alibeaj mos të jetë palë në këtë proces dhe të rrëzohet kërkesa e tij. Dhe për këtë kërkesë do të merret vendimi në dhomë këshillimi. Nëse pranohet kërkesa, pushohet çështja dhe mbetet ne fuqi vendini i gjyqtarit Agron Zhukri, në favor të Berishës.
“Gjykata e Shkallës së Parë është investuar nga Komisioni i Rithemelimit, duke e pranuar të plotë kërkesën, e cila konsistonte në njohjen e plotë të ndryshimeve statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit”, tha Kaso.
“Në kundërshtim me ligjin, Enkeleid Alibeaj ka bërë ankim gjykatën dhe po në shkelje të ligjit, gjyqtarja Blerina Muca e ka pranuar këtë ankim. Deputeti Enkeleid Alibeaj nuk legjitimohet si ankimues dhe ne kërkojmë që kjo të jetë gjeja e parë që të merret në shqyrtim nga Gjykata e Apelit”, tha ai.
“Ankimi duhet të mos ishte pranuar sepse nuk përmbush shkaqet. Personi nuk ishte palë në proces. Ligji parashikon qartë se çfarë është ankimi dhe gjithashtu parashikon edhe kriteret minimale që duhet të plotësohen. Ankimi është akti në të cilën palët ose palët e tjera në proces ankimojnë një vendim. Pra që të ankimosh një vendim, duhet të jesh palë ose pjesëmarrës në proces”, shtoi Kaso.
“Në vendimin objekt ankimi duket qartë që palë në këtë proces ishte vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë, palë që pasi është njohur me arsyetimin e vendimit, nëpërmjet përfaqësuesit, Ivi Kasos, përfaqësues i Komisionit të Rithemelimit, i ka komunikuar Shkallës së Parë që ka hequr dorë nga ankimi. Pra pala në proces ka hequr dorë nga kjo e drejt pasi kërkesa ishte pranuar e plotë dhe nuk kishye asnjë arsye për ankim”, tha me tej Kaso, raporton Euronews Albania.
Për 5 arsyet që rendita, deputeti Enkelejd Alibeaj nuk legjitimohet si përfaqësues dhe për këtë arsye kërkesa e tij duhet rrëzuar”, tha Kaso gjatë seancës. /Telegrafi/