Telegrafi

Opozita me çdo kusht dëshiron të debatojë në Kuvend për çmimin e rrymës

Partitë opozitare vazhdojnë të insistojnë në atë që pikë e rendit të ditës në seancën e radhës së Kuvendit të jetë diskutimi i peticionit me 35 mijë nënshkrime, nëpërmes së cilave kundërshtohet ngritja e çmimit të energjisë.

Ata thonë se përpjekjet sërish do t’i bëjnë qoftë në kryesi, qoftë në seancë që ta realizojnë këtë qëllim. Nëse përsëri dështojnë, atëherë do të veprojnë njëjtë sikurse javën e shkuar, kur e braktisën seancën. Ndryshe, kryesia sot nuk ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, e nuk dihet nëse këtë javë kuvendi do të ketë seancë plenare.

Opozita nuk e ka në plan të zmbrapset nga kërkesa që në seancë ta diskutojë peticionin me 35 mijë nënshkrime të qytetarëve që kundërshtojnë ngritjen e çmimit të energjisë, raporton KTV.

Opozitarët nuk do të lodhen së kërkuari në çdo mbledhje të Kryesisë e në çdo seancë Kuvendi që kjo të jetë pikë diskutimi, deri në realizimin e synimit të tyre, dhe sa herë që do të mbivotohen nga pozita ata do ta bojkotojnë vazhdimin e seancës.

Javën e shkuar opozita dështoi ta fusë si pikë të rendit të ditës këtë pikë, ndërsa thonë se nëse ndodh e njëjta sërish, atëherë protestat janë rruga e vetme.

Por, opozita nuk e pati rastin që këtë kërkesë ta shtrojë sot në kryesi, meqë takim nuk pati fare.

Kështu nuk dihet nëse këtë javë do të ketë seancë, sepse thuhet të mos ketë material të mjaftueshëm për diskutim.

Te partitë opozitare po dyshojnë se pikërisht këto mungesa po bëhen deri t’i mbledhin votat për Gjykatën Speciale.

Aktgjykimi nga Kushtetuesja është në tavolinën e komisionit, por ende nuk dihet kur do të shtrohet para deputetëve.

Por, opozitarët ende nuk e dinë se si do të veprojnë në ditën kur do të jetë në Kuvend votimi për Gjykatën Speciale. Thonë se do ta kundërshtojnë fuqishëm përmes diskutimeve, por ende nuk dihet nëse këtë kundërshtim do ta bëjnë edhe me protesta.