Udhëheqësit e opozitës në Mal të Zi u bën thirrje mbështetësve të tyre të ndalin festimet dhe të mos dalin në rrugë.
Policia malazeze njoftoi se të hënën në mbrëmje ka identifikuar të paktën njëmbëdhjetë ngjarje me elemente të dhunës, derisa koalicionet opozitare po festonin rezultatin e shënuar në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi që u mbajtën më 30 gusht.
Udhëheqësit e koalicioneve opozitare: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë”, dhe “E zeza në të bardhë”, që drejtohen nga politikanët, Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq, dënuan incidentet dhe shprehën dyshimin se mbështetës të ish-qeverisë malazeze ose shërbimit sekret ishin prapa incidenteve të caktuara.
Thirrjes iu bashkua edhe Kisha Ortodokse Serbe, e cila gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që tu shmangen tubimeve gjatë ditëve në vijim.
“Ndryshimi politik nuk duhet të jetë një arsye për përhapjen e jotolerancës”, tha Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila aktualisht është në pushtet, tha se mbështetësit e opozitës, në disa qytete të Malit të Zi, kanë organizuar tubime, gjatë të cilave, “qytetarët janë provokuar në mënyrë agresive, me parulla nacionaliste”.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në 30 gusht. Tri koalicionet e opozitës fituan më shumë se gjysmën e vendeve në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Malit të Zi.
Nga 81 vende, Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Millo Gjukanoviq fitoi 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë, ndërsa tre parti të opozitës fituan 41 vende. /Rel/