Site icon Telegrafi

Opozita kërkon që zgjedhjet parlamentare të mbahen në maj

Problemet e vazhdueshme me të cilat po përballet pushteti aktual, si në aspektin politik, ekonomik dhe social, nga opozita po shihen si një arsye e mjaftueshme që zgjedhjet parlamentare në Kosovë të mbahen sa më parë.

Në taborin opozitar vlerësojnë se çdo vonesë në mbajtjen e zgjedhjeve shkon në dëm të qytetarëve, kurse muajin maj e shohin si afat ideal për zgjedhje të parakohëshme.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albulena Haxhiu, ka thënë për Telegrafin se ata si lëvizje së bashku më qytetarët, angazhohen, sipas saj, që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen sa më parë që është e mundshme.

Haxhiu ka theksuar se “përkundër premtimeve të vazhdueshme, ne sot jemi dëshmitarë të asaj se në Kosovë nuk ka mirëqenie, nuk ka barazi, nuk ka as drejtësi, me një fjalë nuk funksionon asgjë”.

“Ka vetëm koncesione të vazhdueshme në negociatat e Brukselit. Duke pasur parasysh faktin se kjo Qeveri nuk ka treguar dhe dëshmuar as vullnet, as dije dhe as guxim që ndërmarrë veprime që janë në favor të qytetarëve dhe Republikës, por edhe për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme të Serbisë përbrenda territorit tonë zgjedhjet janë të domosdoshme madje të pashmangshme në rrethanat aktuale që po kalon vendi ynë”, ka theksuar Haxhiu për Telegrafin.

Sipas saj, çdo ditë e këtyre njerëzve në krye të institucioneve të vendit, është një ditë më pak shpresë për qytetarët dhe vendin.

Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka theksuar për Telegrafin se Qeveria e Kosovës e ka humbur legjitimitetin.

Sipas tij, vendi duhet sa më parë që është e mundshme të shkoj në zgjedhje, duke shtuar se “muaji maj do të ishte ideal për zgjedhje”.

“Kohëve të fundit kemi intensifikuar takimet me qytetarë, qoftë edhe nëpërmjet aktiviteteve tona të cilat i kemi organizuar kohëve të fundit. AAK ka një ngritje sa i përket elektoratit, ku besojmë se në këto zgjedhje do të dalim më të fuqishëm dhe më të konsoliduar”, ka shtuar Lekaj./Telegrafi/

Exit mobile version