Telegrafi

Opozita kërkon interpelancë për çështjen McGonigal, Rama nuk shkon në Kuvend por reagon në rrjetet sociale

LSA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk është paraqitur sot në Kuvend në interpelancën e thirrur nga Partia Demokratike ndaj tij në lidhje me përfshirjen në çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.

Bëhet me dije se Rama ia ka ka deleguar kompetencën ministers së Shtetit Elisa Spiropali, për tu përgjigjur në emër të tij.

Kjo është hera e dytë radhazi që Rama mungon në seancë plenare edhe pse prej ditësh deputetët e opozitës i kanë kërkuar që të përgjigjet për përfshirjen e tij me McGonigal. Opozita e akuzon kryeministrin se ka korruptuar agjentin e kundër-zbulimit të FBI-së për të goditur opozitën.

Kjo situatë ka krijuar debate dhe kundërshti nga deputet e opozitës të cilët kërkojnë me ngulm praninë e tij në Kuvend.

Deputeti Gazment Bardhi ka reaguar ashpër në seancën e sotme në Kuvend. Gjatë fjalës së tij, Bardhi tha se kryeministri Edi Rama nuk mund të fshihet pas Elisa Spiropalit, Agron Nezës apo McGonigal. Gjithashtu theksoi se nuk pranon të vazhdojë interpelancën në Kuvend, nëse i pranishëm nuk do të jetë vetë kryeministri Rama.

Ndërkohë, Rama ka zgjedhur të reagojë në rrjete sociale.

“Një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu!,” ka thënë Rama në një portim në Twitter.

“Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike,mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim,” shtoi ai.

“Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë”, tha Rama.

Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Kishte qenë vetë McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme.

Por përveç Nezës, në akt-akuzë shfaqen dhe lidhje të tjera të ish zyrtarit të FBI-së me personazhe të tjerë nga Shqipëria, ku ai realizoi disa vizita, gjatë së cilave zhvilloi dhe takime me kryeministrin Rama. Së bashku ata u takuan më pas dhe në New York.

Takimet mes tyre janë zhvilluar gjithnjë në prani të Nezës dhe Dorian Duçkës të cilin akt-akuza e përshkruan si “i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare”.

Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim se përse takimet me ish zyrtarin e FBI-së janë zhvilluar në prani të personave privatë, por dha disa shpjegime rreth marrëdhënieve të tij me ta. /Telegrafi/